Restoranti më i mirë në botë shpallet ai i shefit shqiptar të kuzhinës

Padyshim ka qenë restoranti më me influencë i gjeneratës së tij!

Që prej vitit 2002, The World’s 50 Best Restaurants është kthyer në “Oscars” për gastronominë që reflekton më së miri diversitetin e kulinarisë në botë. Falë panelit të tij me më shumë se 1000 ekspertë, si dhe procedurave të votimit, ata ofrojnë një listë me renditjen e restoranteve më të mirë në botë teksa përshkruajnë eksperiencën e të shijuarit në to.

Dhe lajmi për këtë vit është që restoranti më i mirë në botë është ai i një shefi kuzhine me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për restorantin “Noma” në Kopenhagen të Danimarkës, në drejtim të së cilit qëndron Rene Redzepi.

“Noma pa dyshim ka qenë restoranti më me influencë i gjeneratës së tij pasi ka vendosur standarde të reja përsa i përket kërkimit dhe gjetjes së përbërësve, krijimit të pjatave dhe prezantimit të tyre.” – është shprehur William Drew nga World’s 50 Best Restaurants.

Rene Redzepi ka lindur në Kopenhagen, por babai i tij është me origjinë shqiptare. Në fëmijërinë e tij, ai u zhvendos për të jetuar në Tetovë, eksperiencë të cilën e përshkruan si domethënëse për jetën e tij. Jetesa në një zonë rurale ku ushqimi ishte gjithmonë bio dhe i shëndetshëm, e kryesisht vegjetarian, ndikoi më tej në zakonet e tij të të gatuarit. Kur ishte 15 vjeç, ai la gjimnazin për t’u futur në një shkollë kulinarie.

Karriera e tij nisi duke punuar në një restorant në Kopenhagen, më pas në jug të Francës dhe Kaliforni. Ishte vetëm 24 vjeç kur ju bë oferta nga sipërmarrësi Claus Meyer, që së bashku të themelonin atë që sot është restoranti “Noma”.

“Noma” është vlerësuar me tre yje(i jashtëzakonshëm) dhe nga Michelin, ku vlerësohej lidhja e fortë me natyrën dhe kombinimi i përbërësve sezonalë të pazakontë në pjata kreative.

/MyLittleTirana

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *